|
Shkruar nga JUGpressi
E hënë, 26 dhjetor 2011 00:00
PRESHEVË
Deputeti shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Riza Halimi ka deklaruar për JUGpressin se në mes Serbisë dhe Kosovës me vendimet, zbatimi i të cilave fillon sot, është vendosur embargo totale, e cila mund të provokojë reagime të padëshiruara.
"Në vend të lirisë së lëvizjes kemi embargo, çfarë deri më tash asnjëherë në histori nuk e kemi pasur" ka thënë Halimi, i cili është edhe kryetar i partisë më me ndikim në mesin e shqiptarëve në jug të Serbisë, Partisë për Veprim Demokratik (PVD).
Ai ka shtuar se kështu njëra nga çështjet më të rëndësishme, lëvizja e lirë, u shndërrua në "pengimin e lirisë së lëvizjes mes Kosovës dhe Serbisë dhe anasjelltas".
"Tani, në vend të pengesave administrative, po vendosen pengesa fiskale.
Për kartonin e gjelbërt paguhet 20 euro në vit, kurse për hyrje në Kosovë paguhet 60 euro për 15 ditë, ndërsa hyrja nga Kosova në Serbi paguhet 100 euro për një muaj", ka thënë Halimi dhe ka shtuar se këto janë "pothuajse 1000 herë më të larta në krahasim me çmimin e kartonit të gjelbërt".
"Me këtë vendim, sikur dikush dëshiron ta destabilizojë situatën edhe në Luginë të Preshevës dhe të provokojë reagime të ngjajshme si ato në veri të Kosovës", ka thënë Halimi.
"Sa mund ta kuptoj unë këtë antilogjikë, Serbia po stimulon që në vend të tabelave të regjistrimit KS të merren tabelat RKS ndërsa, gjatë hyrjes në Serbi të marrin tabelat “provë”, të cilat janë shumë më të lira", shton Halimi.
Ai thotë se Beogradi dhe Prishtina "aq mirë e kanë rregulluar këtë në mënyrë reciproke që kjo kurrsesi nuk është liria e lëvizjes, as për qytetarët e Serbisë e as për të Kosovës".
Nëse edhe Brukseli e përkrah këtë, atëherë ne në këto hapësira jemi persona testimi për ndërmarrje të pamundshme, konsideron Halimi. Ai tërheq vërejtjen se shqiptarët nga Bujanoci, Presheva dhe Medvegja çdo ditë udhëtojnë për në Kosovë për shkak të punës apo obligimeve familjare dhe pothuajse është identike situata me serbët e Kosovës. "Cili qytetar, nga të dy anët, ka para që të mund t’i ndajë për këto taksa, a mendon dikush për këtë?" pye Halimi.
|